Vrasja e dyfishtë ditën e djeshme në Shkodër, ku ndërruan jetë babë e bir, Gjokë e Eduart Gurra ende nuk ka një autor. Policia deri më tani ka dy pista në të cilat po heton për të zbardhur krimin e rëndë. Përveç pistës që babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, policia ka ngritur edhe pistën e konflikteve për mbjelljen e kanabisi. 57-vjeçari në vitin 2008 ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj. Po verifikohet, nëse ai ka denoncuar ndonjë rast të kultivimit të drogës dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vrasjen.
Ekspertiza ka arritur të zbulojë se Gjokë e Eduart Gurra janë qëlluar nga një armë e vetme, ajo e tipit kallashnikov dhe këtë gjë e vërtetojnë edhe 8 gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se autori ka vepruar i vetëm dhe persona të tjerë mund ta kenë ndihmuar për t’u larguar.
Për shkak të terrenit të vështirë ku ka ndodhur vrasja, policia ka arritur në Dukagjin 3 orë pasi ka ndodhur vrasja, çka i ka dhënë autorit kohën e mjaftueshme për t’u larguar.