Kur kanë kaluar 7 ditë nga vrasja e biznesmenit dhe politikanit lokal, Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Lezhë, duket se grupi hetimor ka mundur të gjejë disa prova të reja që mund të çojnë në zbulimin e autorit të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.
Mësohet se në Gjadër, janë gjetur disa rroba në një godinë të pabanuar, por edhe disa sende të tjera, që dyshohet se mund të jenë të autorëve të krimit. Autoritetet deri më tani bëhet e ditur se janë vënë në kërkim të të paktën 5 personave, të cilët duhet të merren në pyetje dhe të japin sqarim lidhur me vrasjen e Ardian Nikulajt.
Për sa u përket sendeve të gjetura në Gjadër, janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës ku po u bëhen ekzaminime. Po ashtu priten përgjigjet edhe të ekzaminimeve të bëra në 7 gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.
Deri më tani, grupi hetimor si pistë kryesore për vrasjen e Nikulajt ka të shkuarën e viktimës.
Autori, dyshohet se ka pasur së paku 2 persona të tjerë që e kanë ndihmuar për të kryer këtë vrasje. Një prej tyre ka dhënë informacione lidhur me lëvizjet e viktimës, Ardian Nikualj, ndërsa tjetri dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohet pas krimit. Lidhur me këtë ngjarje, dyshime që e implikojnë në ngjarje vijojnë të mbeten edhe mbi shtetasin anglez, i cili kishte fjetur një natë ne hotelin e Nikulajt dhe 4 ditë të tjera në një hotel tjetër në Shëngjin.
Për këtë person, policia ka kërkuar nga homologët britanike që t’i merret një deklaratë.