Ende pa u mbushur 24 orë, një tjetër person është vrarë në Shqipëri. 38-vjeçari Fatjon Dervishi ka ndërruar jetë pasi është qëlluar me armë zjarri. Ngjarja ndodhi gjysmë ore pas mesnate në fshatin Katund të Sukthit, tek shinat e trenit. Sipas policisë Dervishi u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Dyshohet se viktima është nipi i ‘Arapit të Durrësit’, person me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve.
Bashkë me viktimën ka qenë edhe shoku i ngushtë i tij i cili ka raportuar në polici se ata janë qëlluar sapo kanë dalë nga një lokal natë. Për shkak të errësirës nuk ka arritur që të dallojë se sa persona ishin. Miku i 38-vjeçarit ka pohuar se viktima mori 2 plumba ndërsa mbi makinën e tyre është qëlluar 10-12 plumba. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të FNSH-së Tiranë, për të bërë të mundur kapjen e autorëve, të cilët janë ende të paidentifikuar. Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës.