Ekzekutimi mafioz në Panaja të Vlorës ku u vranë me armë zjarri Shpati Lena dhe Hakim Xhezo duket se ka zgjatur vetëm pak sekonda. Nga rindërtimi i skemës së ngjarjes së rëndë, besohet se makina e autorëve i ka ndjekur viktimat më pas dhe kanë nisur të qëllojnë jo më shumë se 100 metra pa shkuar te mbikalimi i Panajasë.
Ata kanë hyrë në parakalim duke qëlluar fillimisht anash automjetit. Sipas Tv Klan, të shtënat anësore kanë zgjatur pak metra dhe më pas autorët janë përqendruar në xhamin e parë të makinës së viktimave deri sa ajo përfundon në kanal.
Me shpejtësi marramendëse makina vazhdon të largohet në drejtimin ku po lëvizte. Tre armët e gjetura në makinën e djegur në fshatin Çerven janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës. Hetuesit gjithashtu kanë marrë në pyetje të paktën 15 persona, të afërm dhe dëshmitarë, teksa hetimet janë përqendruar drejt pistës së hakmarrjes dhe implikimit të çështjeve të drogës.