Policia vijon të godasë kultivimin e lëndëve narkotike. Një megaoperacion anti-kanabis është zhvilluar në zonën e Shkodrës. Në këtë operacion përveç forcave të policisë së Shkodrës kanë marrë pjesë edhe Reparti Special “RENEA” dhe forcat e FNSH-të të Tiranë dhe Fierit. Policia njofton se janë zbuluar dhe asgjësuar nëpërmjet djegies 12 831 bimë kanabis.
Në këtë megaoperacion, nga ajri u angazhuan 50 efektivë të repartit “RENEA” dhe nga toka, 500 efektivë të policisë. Efektivët e repartit “RENEA” janë transportuar me helikopter, pasi bimët e kultivuara ishin në një terren shumë të thellë malor dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë.
Efektivët e RENEA-s, me anë të helikopterit, mundën të mbërrinin në vende të ndryshme, në territorin e fshatit Palaj, njësia administrative Shosh, ku ishin kultivuar kanabis. Nga këto zona, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 2220 bimë narkotike kanabis.
Në vijim, gjatë këtij megaoperacioni, nga toka, shërbimet e DVP Shkodër, të komisariateve të Policisë në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier, nga terrene të vështira malore në Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit, asgjësuan 10 611 bimë narkotike cannabis sativa.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur operacionin duke bërë edhe një bilanc të luftës së policisë ndaj këtij fenomeni.
“Deri më tani në shkallë vendi janë asgjësuar 289.357 bimë narkotike canabis sativa. Janë identifikuar 202 autorë, nga të cilët 111 të arrestuar, 63 në kërkim, 29 me masë tjetër sigurie. Janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi 114 persona”, shkruan Balla.