4 mina me telekomandë me eksploziv C4 të programuara për shpërthim në distancë u sekuestruan nga policia e Vlorës, gjatë operacionit të koduar “Knock Out 3”. Minat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Në prangat e policisë ka rënë Petrit Ndoji 51 vjeç nga Lezha, pasi minat i kishte fshehur në kroskotin e automjetit që drejtonte.
Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”. Si rezultat i punës së Policisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4.
Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili u shpreh:
“Është goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, duke parandaluar ngjarje të rënda kriminale dhe terrori. Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar,” – shprehet ministri i Brendshëm në statusin e tij.