Dy vëllezër janë plagosur me thikë në Tiranë nga një 35-vjeçar nga Lushnja. Policia bën me dije se Gerti Latifi pas një debati për motive të dobëta goditi Rrest dhe Viliardo Abazaj, 26 dhe 31 vjeç në rrugën “Thoma Koxhaj”.
Autori i plagosjes së dy vëllezërve Abazaj, Gert Latifi, ishte kthyer pak kohë më parë nga Italia, ku jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët. Sherri mes të rinjve, sipas deklarimeve të tyre, kishte nisur për ngacmimin e një vajze, tre vite më parë. Mbrëmjen e djeshme, 35-vjeçari Latifi komunikoi me dy vëllezërit dhe la takim për t’u sqaruar. Konflikti mes tyre fillimisht nisi me fjalë, u pasua me sharje dhe më pas në përplasje fizike. Pas kësaj, Latifi i plagosi me thikë. Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Lushnjes organizuan operacionin dhe arrestuan pas disa orësh Gerti Latifin së bashku me një 17-vjeçar.
Përmes GPS së makinës policia bëri të mundur identifikimin dhe më pas lokalizimin në Lushnjë në një hotel, ku iu gjet edhe një sasi kokaine. Atij iu sekuestruan 1.150 euro, lëndë narkotike kokainë dhe thika, me të cilën dyshohet se kreu plagosjen.