Policia e Beratit ka njoftuar ditën e sotme se ka parandaluar një tentativë për vrasje dhe ka shpallur në kërkim 3 persona. Sipas policisë, janë shpallur në kërkim H.B., 55 vjeç banues në Kosovë, A. Sh., 30 vjeç banues në Korçë dhe E.G., 43 vjeç banues në Tiranë. Ata funksiononin si një grup i strukturuar kriminal.
Nga kontrollet e ushtuara në automjetin që grupi kriminal kishte fshehur në pyll, policia sekuestroi 2 armë zjarri me silenciatorë, municion luftarak, motomjet, skafandra, mjet prerës (thikë), veshje kamuflazhi, radio marrëse-dhënëse, dylbi dhe sende të tjera që do të përdoreshin për realizimin e vrasjes së një shtetasi.
Duke u ndodhur nën presionin e policisë, të shpallurit në kërkim e kanë lënë në pyll makinën bashkë me sendet që do të kryenin krimin dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar. Policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen dhe arrestimin e tyre.