Arsen Meskurti, autori i krimit të dyfishtë në Tiranë, ku vrau vëllanë dhe kunatën e tij, ka dalë sot para gjykatës, ku iu komunikua masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Në videon nga brenda sallës ku po mbahet gjyqi, pamje ku autori shfaqet për herë të parë në publik pas ngjarjes makabre.
Siç shihet edhe nga pamjet, Meskurti, i njohur ndryshe dhe me emrin Hamza, qëndron pas kafazit prej xhamit, ndërsa diçka flet.
“Kam bërë shtatë kallëzime për vëllanë dhe kunatën. Armën e kam patur me leje. Kallëzimin e fundit e kam bërë ditën e vrasjes”, tha autori i vrasjes së Dritan dhe Nora Meskurtit.
“Më ka kërkuar mua që ta dorëzoj. Unë kërkova masë sigurie 30 ditë pasi gjendja psikologjike e tij është e jashtëzakonshme, merr mjekim. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe të ndjerës. Kishte që nga 2018 që kishte probleme me vëllain, aty ka filluar edhe mjekimin. Nuk është arratisur, por ka dashur të dorëzohet. Arma është me leje”, u shpreh avokati mbrojtës i Arsen Muskurti.
Kujtojmë se ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik ndodhi pasditen e 30 gushtit në afërsi të Rrugës së Kavajës. 38-vjeçari pas shumë konfliktesh për çështjes pronësie me të vëllanë dhe një shumë prej 17 milionë lekësh që ky i kishte viktimës, shkoi në agjencinë turistike të 44-vjeçarit dhe e vrau bashkë me të shoqen.
Pas krimit, autori tentoi të arratisej, ndërsa u kap 2 orë më pas, në prani të bashkëshortes së tij dhe të një prej 7 fëmijëve. Ndërkohë, ndaj Arsen Muskurtit janë ngritur dy akuza: “Vrasja në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.