Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga puna që po zhvillohet për ndërtimin e poligonit të parë publik. Kreu i qeverisë shprehet se, ky investim që po merr jetë në zonën e Fushë-Prezës do t’u vijë në ndihmë drejtuesve të rinj të mjeteve.
“Kjo hapësirë do të shërbejë për orët e praktikës për të gjithë drejtuesit e rinj të mjeteve që pritet të marrin rishtazi patentat, por edhe për aktivitete shtesë edukative që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe sigurinë rrugore, ju uroj një ditë të mbarë”, nënvizon Rama.
Poligoni i parë publik i këtij lloji është investim i qeverisë shqiptare, përmes Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Publik. Objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë më të fundit të simulatorëve mbi drejtimin e mjetit.
Kjo vepër e re me një sipërfaqe rreth 6000 m2 do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore, orë Këndi Trafiku dhe Aktivitete Mësimore shtesë.