Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë këtë të enjte në Durrës, të akuzuar për trafik droge.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, policia bën me dije se në pranga kanë rënë M.V., 18-vjeç dhe D. Sh., 18 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Fillimisht u vu në pranga i riu me inicialet D. Sh., i cili u arrestuan në vendin e quajtur “Rrethrrotulli”, Plepa, Durrës, teksa po udhëtonte me një taksi në drejtim të Tiranës.
Atij iu gjetën 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me kanabis me peshë totale rreth 340 gramë.
Pakot me kanabis kishin ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri, ndërsa porositësi ishte 18-vjeçari me inicialet M. V., i cili kishte dërguar shtetasin D. Sh. për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes Durrës dhe për t’i sjellë në Tiranë.
“Vijon puna nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Shtetit.