Një tjetër viktimë është regjistruar si pasojë e rrjeteve sociale. Një vajzë 27-vjeçare i ka dhënë fund jetës pasi u hodh nga tarraca e katit të katërt në pallatin ku banonte në Kamëz. Policia pas hetimeve ka zbuluar se shkaktar i kësaj vetëvrasje ka qenë publikimi në rrjetet sociale i një fotoje intime të vajzës nga 39-vjeç Altin Çoku. Policia arrestoi 39-vjeçarin me akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”.
27-vjeçarja me iniciale S.A., jetonte me qira në një apartament në rrugën “Teuta” në Kamëz dhe dyshohet se e kreu aktin të shtunën e datës 10 shkurt rreth orës 23.00 në kushtet e tronditjes së rëndë, pasi mësoi për foton e publikuar.
Raportohet se gruaja ishte në proces divorci me bashkëshortin kosovar dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun. Gjatë kohës së njohjes mes tyre ai I ka bërë foto intime gruas dhe më pas ia ka publikuar në Tik Tok. Ajo i kërkonte të hiqte foton por 39-vjeçari ka pretenduar se nuk ka qenë ai i cili i ka publikuar fotot por ka qenë miku i tij i cili ia ka marrë telefonin dhe ja ka publikuar.