Në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka nisur puna prej disa ditësh për riparimin e dëmit elektrik të shkaktuar nga një zjarri që ra më 11 shkurt në katin -1 në Urgjencën e re. Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka publikuar pamjet nga punimet për rikthimin në funksion të Urgjencës së re në QSUT. Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara për herë të parë, zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha.
Sipas ministres, shërbimi për urgjencat kardiovaskulare, aktualisht po ofrohet në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Rajonal Memorial Fier dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Ndërkohë shton ministrja, shërbimi i Urgjencës në QSUT, vijon çdo ditë të ofrojë shërbim për të gjitha urgjencat e sëmundjeve të brendshme, gastrohepatologji, nefrologji, hematologji, endokrinologji, dermatologji, alergologji, reumatologji si dhe të gjitha urgjencat neurologjike.
‘Prej disa ditësh në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nisur puna për riparimin e dëmit në rrjetin elektrik, të shkaktuar nga incidenti i ndodhur në muajin shkurt.
Në luftë me kohën për të rikthyer sa me parë në këtë strukture spitalore dhe shërbimin për urgjencat kardiovaskulare, shërbim që aktualisht po ofrohet në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Rajonal Memorial Fier dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Shërbimi i Urgjencës në QSUT, vijon çdo ditë të ofrojë shërbim për të gjitha urgjencat e sëmundjeve të brendshme, gastrohepatologji, nefrologji, hematologji, endokrinologji, dermatologji, alergologji, reumatologji si dhe të gjitha urgjencat neurologjike.’- shkruan ministrja e Shëndetësisë.
Situata kaotike me urgjencat vijon që prej datës 11 shkurt kur në katin -1 në Urgjencën e re të QSUT-së ra zjarr, për shkaqe që po hetohen nga prokuroria e Tiranës e që dyshohet se lidhen me keqfunksionimin e baterive. Organi i akuzës së kryeqytetit i nisi hetimet më 2 mars, duke sekuestruar edhe dosjen e tenderit për ndërtimin e urgjencës, një investim me vlerë rreth 17 milionë euro.