Gjatë një operacion për ndalimin e prodhimit të lëndëve narkotike, Policia e Shkodrës ka zbuluar një arsenal armësh. Në fshatin Gimaj, njësia administrative Shalë, është arrestuar 68-vjeçari Gjon Marashi, banues në këtë fshat, pasi në momentin e ndërhyrjes nga Policia, u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë kanabisi që kishte kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të banesës së tij.
Gjatë kontrollit në banesën e Marashit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies, 120 bimët narkotike të kultivuara në afërsi të banesës së 68-vjeçarit, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.