Ministria e Jashtme greke ka reaguar në lidhje me refuzimin e kërkesës së kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri për dhënien e një leje të posaçme daljeje nga burgu dhe pjesëmarrjes në betim në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti.
Gjithashtu Ministria është shprehur se ky refuzim tregon pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë Belerin nga marrja e detyrës.
“Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, për të marrë një leje të posaçme, në mënyrë që të jetë pjesëmarrës nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin dhe të marrë zyrtarisht detyrën, u rrëzua sot. Ky refuzim tregon tani, pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë atë, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e zonës. Si kandidate për anëtarësim në familjen europiane, Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtën e pafajësisë deri në zhvillimin e gjyqit”, – thuhet në reagimin e ministrisë së Jashtme greke.