Organizata Freedom House ka publikuar ditën e sotme raportin e saj për 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen “Vendet në Tranzicion”.
Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon,”kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.
“Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.
Gjendja e demokracisë në Shqipëri
Edhe në vitin 2022, Shqipëria ishte në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit. Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti.
Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar. Megjithë përmirësimin modest në treguesin e korrupsionit, raporti thotë se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 majit këtë vit.
Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se në vitin 2022, demokracia e Shqipërisë u rezistoi sfidave të shumta, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të posaçme vendore të marsit, si dhe riorganizimeve të brendshme të partive politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit Bajram Begaj.
Sipas vlerësimi të Freedom House “shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023 (raporti përfshin vetëm zhvillimet e vitit 2022).
Në raport vlerësohet fakti që Bashkimi Evropian hapi bisedimet e pranimit me Shqipërinë në korrik 2022, të cilësuara nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si një “moment historik” dhe Shqipëria organizoi në dhjetor për herë të parë jashtë BE-së, takimin e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.
Raporti përmend gjithashtu vrasjen e 10 grave nga partnerët e tyre dhe diskriminimin e individëve të komunitetit LGBT+, pakicave rome dhe egjiptiane.
Qeverisja kombëtare demokratike dhe procesi zgjedhor
Duke pasur parasysh zgjedhjet dhe dinamikën brenda partive kryesore politike, përfshirë kthimin e zotit Berisha, mbarimin e mandatit të ish-presidentit Ilir Meta dhe kthimin e tij në politikë aktive, si edhe zgjedhjet në Partinë Socialiste, raporti vë në dukje rolin e udhëheqësve.
Përsa i takon zgjedhjes së Presidentit Bajram Begaj, raporti vë në dukje se megjithëse fillimisht u duk se pati përpjekje për një president konsensual, përfundisht “pavarësisht se (ai) u konsiderua si një kandidat apolitik, PS në pushtet e zgjodhi Begajn”, me votat e saj.
Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.
Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.
Në raport thuhet se gara para që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.
Korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit
Falë aktivitetit të SPAK-ut, lufta kundër korrupsionit ishte i vetmi drejtim ku Shqipëria shënoi përmirësim të lehtë.
Në raport përmendet dënimi i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri me tre vjet e gjysmë burg për shpërdorim detyre—çështja e profilit më të lartë që SPAK ka ndjekur me sukses që nga themelimi i tij në 2019.
Po ashtu përmendet arrestimi i deputetit të PS-së, Alqi Bllako, nën akuzën për marrjen e ryshfetit prej 120,000 € gjatë kohës që ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Ai akuzohet nga SPAK se ka ndihmuar një kompani për të fituar një kontratë publike për inceneratorët. Bllako u lirua nga burgu në tetor dhe ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa SPAK heton tre kontrata për inceneratorët.
Raporti përmed edhe arrestimin e disa zyrtarë publikë me lidhje me këto çështje në vazhdim, të cilët tashmë janë objekt i hetimeve të SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Mes të arrestuarve është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Hetimi shqyrtoi procesin ligjor me të cilin qeveria kishte dhënë kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017) – me një vlerë totale prej 178 milionë euro.
Lidhur me hartën e re gjyqësore, Freedom House thotë se ndërsa aktorët ndërkombëtarë që mbrojtën reformën gjyqësore në Shqipëri e vlerësuan hartën, ajo është kritikuar ashpër nga shoqata të shumta avokatësh dhe shoqëria civile, të cilat thonë se “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”.
Në shenjë proteste ndaj hartës së re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë Shqiptare udhëzoi anëtarët e saj të bojkotojnë të gjitha proceset gjyqësore në korrik 2022 dhe avokatët në të gjithë vendin kanë refuzuar të ofrojnë shërbime ligjore.
Gjendja e medias dhe shoqërisë civile
Raporti shpreh shqetësimin për gjendjen e medias, duke përmendur presionin nga interesat politike për të frenuar mbikqyrjen nga media dhe manipuluar narrativën mediatike për t’u shërbyer agjendave partiake. Freedom House përmend rënien me disa pozicione të Shqipërisë në Indeksin e Gazetarëve pa Kufij. Organizata e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) vë në dukje se Shqipëria po dështon të mbrojë gazetarët dhe shtypin e lirë.
Kosova dhe procesi i negociatave
Kosova shënoi një përmirësim të lehtë nga 3.25 vitin e kaluar në 3.29 këtë vit.
“Marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme. Përpjekje të jashtëzakonshme nga shoqëria civile e Kosovës për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veriun me shumicë serbe, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhdojnë të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj”, thuhet në raport./ Zëri Amerikës