Vast, një startup i mbështetur nga miliarderi i kriptomonedhave Jed McCaleb, synon të nisë në orbitë një stacion hapësinor me madhësi të një autobusi deri në fund të vitit 2025 me ndihmën e partnerit SpaceX, në pronësi të Elon Musk.
Anija kozmike cilindrike e quajtur Haven-1 është platforma më e fundit e planifikuar për të zëvendësuar Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), laboratorin e kërkimit orbital prej dy dekadash që operohet kryesisht nga SHBA, Rusia dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës, raporton Reuters.
ISS pritet të tërhiqet në vitin 2030 dhe agjencia hapësinore amerikane NASA dëshiron që stacionet hapësinore komerciale të zëvendësojnë ISS.
Agjencia akordoi 415 milionë dollarë financim zhvillimi në vitin 2021 për katër kompani, duke përfshirë Northrop Grumman dhe Blue Origin të miliarderit Jeff Bezos.
Vast nuk ishte në mesin e tyre, por shpreson të marrë disa fonde nga NASA deri në vitin 2028, tha shefi ekzekutiv i kompanisë, Max Haot, për Reuters.
Asnjë kompani private nuk ka ndërtuar dhe vendosur ndonjëherë një stacion hapësinor.
ISS, i ndërtuar me lëshime të shumta dhe i pajisur me komponentë të ndryshëm, u kushtoi kombeve pjesëmarrëse më shumë se 100 miliardë dollarë së bashku.
McCaleb, me vlerë 2.4 miliardë dollarë sipas Forbes, do të mbështesë zhvillimin e anijes kozmike dhe deri më tani ka investuar 300 milionë dollarë.
Kostoja totale e zhvillimit të Haven 1 “mbetet për t’u parë”, tha në një intervistë McCaleb, gjithashtu shefi ekzekutiv i Vast. “Unë mendoj se do të duhet pak më shumë se kaq, por do të shohim”.
Vast, i themeluar në vitin 2021, planifikon të nisë një ekuipazh prej katër personash në Haven-1 në një mision kërkimor njëmujor menjëherë pasi të vendoset.
Haven-1 do të lëshohet nga raketa Falcon 9 e SpaceX.
SpaceX gjithashtu do të trajnojë astronautët që do të largohen nga Toka në kapsulën e Crew Dragon të SpaceX.
Kapsula do të ankorohet në mënyrë autonome në Haven-1.
Një projekt plotësisht komercial në orbitën e ulët të Tokës është e ardhmja, dhe Vast dhe SpaceX po bëjnë një hap drejt realizimit të tij, tha në një deklaratë drejtori i lartë i SpaceX, Tom Ochinero.
Misioni Haven-1 pritet të zgjasë tre vjet dhe të mbështesë tre misione të tjera 30-ditore.
Vast është në bisedime me astronautët e mundshëm për misionin fillestar, tha Haot.