Ish-deputeti Halit Valteri ka dorëzuar sipas tij prova të reja në SPAK në lidhje me kallëzimet për familjen e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Unë jam thirrur njëherë për të dhënë shpjegime, pres të thirrem sërish nga autoritetet”, u shpreh Valteri nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme:
Prokuroria e Posaçme për hetimin e nisur mbi dosjen e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të kërkojë informacion në Qipro dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SPAK, me anë të një letre porosish, do të mundohet të sigurojë prova në Qipro për kompaninë “Dorelita Limited”, e cila drejtohet nga avokati Iraklis Fidetzis.
Ky i fundit, sipas kallëzimit të bërë nga ish-deputeti Halit Valter, është lidhja e Vangjel Tavos.
Valteri kërkon që SPAK të faktojë se si kanë shkuar rreth 700 mijë dollarë në Qipro, të cilët më pas Dorelita Limited i ka kaluar në SHBA për të lobuar që Ilir Meta të zhvillonte takime më kongresmenë amerikanë.
SPAK, me atë të kësaj letre porosish, do të saktësojë zyrtarisht nëse LSI ka qenë kliente e Dorelita Limited dhe në cilën formë është kryer transaksioni.
Ndërsa në SHBA do të kërkohet po në formën ligjore mënyra se si është paguar “McKeon Group”, kompania që sipas Halit Valterit ka caktuar takimet e kryera nga Ilir Meta në 2017.
Pjesë e këtyre pagesave është edhe marrja pjesë në inaugurimin e ish-presidentit Donald Trump apo takime të tjera me zyrtarë amerikanë.
Ndërsa në Shqipëri SPAK është duke mbledhur informacion nga një sërë institucionesh për dy kallëzimet e Valterit.
Ish-deputeti e akuzon Metën edhe për 30 dosje korrupsioni së bashku me Monika Kryemadhin dhe disa zyrtarë të LSI.