Lajmi se Jetnor Zhaboli dhunonte dhe mbante të mbyllur në shtëpi nënën, gruan dhe vajzën e tij të mitur shkaktoi shumë zhurmë në publik. Gjykata Penale ka caktuar sot burg me afat 20 ditë për 35-vjeçarin.
Prokuroria kishte kërkuar që Zhaboli të qëndronte në qeli për 30 ditë derisa të dilte ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktonte gjenden e shëndetit mendor të 35 vjeçarit, por Gjykata vendosi burg me afat 20 ditë. Në seancë avokati ka kërkuar shtrim të përkohshëm në spital të Zhabolit deri në daljen e rezultateve të akt-ekspertizës.
Në seancën gjyqësore, 35-vjeçari nuk ka pranuar se ka probleme të shëndetit mendor dhe as të shtrohet në spital dhe është shprehur se çdo gjë e ka bërë për të mbrojtur fëmijët dhe familjen pasi kishte frikë se atyre mund t’ju ndodhte diçka.
Jetnor Zhaboli kishte ushtruar disa herë dhunë mbi gruan e tij pasi e akuzonte se fliste me muret. Kjo e fundit nuk e ka denoncuar me pretekstin se e donte burrin e saj dhe nuk dëshironte që dhunën ta denonconte në polici.