Pas disa goditjeve të njëpasnjëshme të brendshme e të jashtme, që nga tërmeti, pandemia, tensionet gjeopolitike që shkaktuan krizën e çmimeve, 2023-shi ishte, më në fund, një vit më i qetë. Ekonomia vendase mori pak frymë. Inflacioni u lehtësua, teksa konsumi u përmirësua gradualisht.
Turizmi ishte “bekimi” më i madh i vitit 2023. Si asnjëherë tjetër, vendi u kthye në një destinacion të preferuar të turistëve nga e gjithë bota.
Gati 9 milionë shtetas të huaj hynë në vend në periudhën janar-tetor, me një rritje prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky fluks ndikoi një zinxhir sektorësh, transportin, qiradhënien e makinave, baret e restorantet, hotelerinë, e shumë shërbime të tjera, duke bërë që Shqipëria të rezultojë për herë të parë me një bilanc pozitiv të fluksit të hyrjes dhe daljes së valutave.
Në kontrast, 2023-shi nuk ishte aq i mbarë për industrinë. Problemet e sektorit, të nisura më parë nga ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, që çuan në rritje të kostove, u përkeqësuan dhe më shumë nga presioni i pagave dhe sidomos rënia e euros, e cila uli të ardhurat e konvertuara në lekë.
Si të dhënat e eksporteve, ashtu dhe të volumit të prodhimit, tregojnë për një tendencë negative (vetëm në tremujorin e tretë, prodhimi në volum në industri ra me 14.4%Ndërtimi vijoi të ishte një faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike në vitin 2023, ndonëse sinjalet janë që ai po ngadalësohet në gjysmën e dytë të vitit.
Si gjithmonë, në këto vitet e fundit, bujqësia, ndonëse zë peshë të konsiderueshme në madhësinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me gati 20%, ka ndikim të papërfillshëm në rritjen e ekonomisë.
Shqipëria po hyn në vitin 2024, me një dilemë për modelin e ekonomisë që do të ndjekë. Industria po bie dhe pak ose aspak po bëhen përpjekje për ta shpëtuar. Ndërtimi normal që nuk mund të vazhdojë të rritet pa fund, ndërsa turizmi mbetet, pa dyshim, një sektor premtues, që do të udhëheqë ekonominë në vijim.
Në një faktor pengues, kosto e punës është rritur, ndërsa emigracioni ka rrudhur forcën e disponueshme të fuqisë punëtore, të kualifikuar apo jo. Por, si gjithmonë, bizneset do ta gjejnë vetë rrugën, të udhëhequra nga rentabiliteti dhe përfitueshmëria.
Qeveria, me mjetet që ka në dispozicion për të nxitur ekonominë, duhet të ndjekë ritmin, të krijojë një mjedis pozitiv e të drejtë për të bërë biznes, të kapë momentin e turizmit, duke përshpejtuar investimet në infrastrukturë, të nxisë investime të huaja me vlerë të shtuar të lartë.
Teksa viti po mbyllet, urimi ynë në “Monitor” është që viti 2024 të jetë më i mbarë, me një reflektim që më e mira do të vijë, si nga shfrytëzimi i potencialeve në rritje të sipërmarrjeve, ashtu dhe nga orientimi i politikave nxitëse të ekonomisë drejt sektorëve me avantazh konkurrues e ndikim gjithëpërfshirës në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë e mirëqenies së qytetarëve të saj!
Është kohë festash dhe le të jemi pozitivë. Festat përcjellin paqe dhe dashuri, por mbi të gjitha, shpresë, ajo çka në fakt i duhet më shumë këtij vendi./Monitor