Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se inflacioni amerikan është në rënie, por ende nuk ka arritur nivelin e synuar të Rezervës Federale (FED) prej dy për qind në bazë vjetore.
Në një takim pune të ministrave të financave dhe guvernatorëve të Grupit 20 në Bangalore, Indi, ajo tha se ende beson në një shtrëngim gradual (të butë) të politikës monetare për të frenuar inflacionin, por pa rrezikuar ekonominë, duke pasur parasysh se bilancet janë ende të mira dhe tregu i punës është i fortë, raporton Reuters.
“Inflacioni është në rënie me bazë vjetore, por inflacioni bazë, i cili pritet të ulet më tej, mbetet ende më i lartë se objektivi i inflacionit prej dy për qind”, tha ministrja.
Ajo deklaroi se, pavarësisht luftës në Ukrainë, perspektivat për ekonominë amerikane dhe botërore janë përmirësuar.
Siç thotë ajo, ekonomia amerikane është ende në gjendje të mirë dhe punësimi është në rritje.
“Ne nuk kemi problemet e bilancit që kishim përpara krizës globale financiare [2008-09],” tha Yellen, duke komentuar nivelet e larta të borxhit dhe rënien e vlerave të pasurive të paluajtshme nga ajo periudhë.
Ministrat e Financave nga udhëheqësit e Grupit 20 u takuan për të diskutuar sfidat me të cilat përballet ekonomia globale, duke përfshirë inflacionin e lartë dhe rritjen e borxhit në vendet në zhvillim.