Aktiviteti industrial i Eurozonës gjithashtu u lehtësua në shkurt, por prodhimi u rrit lehtë për herë të parë që nga maji i vitit të kaluar, falë një rikuperimi në zinxhirët e furnizimit, tregoi sondazhi mujor i S&P Global.
Indeksi i menaxherëve të blerjeve (PMI) të S&P Global në industrinë e Eurozonës ra në shkurt me 0.3 pikë krahasuar me janarin, në 48.5 pikë, transmeton Hina.
Vlerat më të ulëta se 50 pikë sinjalizojnë rënie të aktivitetit, por indeksi i prodhimit arriti në 50.1 pikë, çka do të thoshte rritje të lehtë të prodhimit.
“Rritja margjinale e prodhimit të raportuar nga prodhuesit e eurozonës në shkurt është një lajm i mirëpritur pasi (prodhimi) u rrit për herë të parë që nga maji i kaluar,” tha kryeekonomisti i biznesit të S&P Global, Chris Williamson.
“Pamja më e ndritshme e prodhimit pasqyron kryesisht një përmirësim të përgjithshëm në zinxhirët e furnizimit, me ritmin më të shpejtë të dërgesave të lëndëve të para dhe pjesëve në fabrika që nga viti 2009,” shtoi ai.
Falë përmirësimeve në zinxhirët e furnizimit, kostot në industri kanë rënë sërish ndjeshëm.
Indeksi i çmimeve të lëndëve të para ra me 5,4 pikë në 50,9 pikë, niveli më i ulët që nga shtatori 2020.
Megjithatë, indeksi i çmimeve të prodhimit është ende i lartë.
Rëndimi i industrisë ishte kërkesa e dobët, e reflektuar në rënien e porosive të reja për të dhjetën muaj radhazi.
Së bashku me inventarët e akumuluar dhe pasigurinë e përgjithshme ekonomike, S&P Global tregon gjithashtu për një rënie të përshpejtuar të porosive të reja të eksportit.
Kërkesa do të duhet të rritet në muajt e ardhshëm për të ruajtur trendin e rritjes së prodhimit dhe që industria të heqë qafe varësinë e saj nga porositë e vjetra të paplotësuara, paralajmëroi ekonomisti i S&P Global.