Ndonëse Ukraina është në luftë, nuk e ka ndalur korrupsionin mes zyrtarëve. Ditën e sotme, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka njoftuar ndryshime të personelit në administratën publike (në nivele të larta dhe të ulëta), por edhe arrestime. Kreu i qeverisë nuk përmendi emra, por tha se këto zyrtarë janë përfshirë në korrupsion.
Një nga ndihmësit kryesorë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dha dorëheqjen përpara një riorganizimi të pritshëm të qeverisë. Kirilo Timoshenko ishte zëvendëskryetari i zyrës së presidentit dhe falënderoi Zelensky për “mundësinë për të bërë vepra të mira çdo ditë dhe çdo minutë”.
Ai ishte përfshirë në skandale lidhur me përdorimin prej tij të makinave të shtrenjta, edhe pse ai mohon këtë akuzë.
Ristrukturimi vjen mes një goditjeje ndaj korrupsionit në Ukrainë, një nga kërkesat kyçe të BE në qoftë se vendi do të çojë përpara aplikimin e tij për t’u bashkuar me unionin. Autoritetet kanë ndaluar të gjithë zyrtarët shtetërorë të largohen nga Ukraina, përveç nëse në udhëtime të autorizuara biznesi.
Të hënën, zëvendës ministri ukrainas i infrastrukturës Vasyl Lozinskyi u shkarkua dhe u arrestua nga policia pasi u akuzua për pranimin e një rryshfeti me vlerë 400,000 dollarë (£320,000), por i ka refuzuar kategorikisht akuzat.
Ukraina ka një histori korrupsioni dhe në vitin 2021 Transparency International e ka renditur vendin në 122 nga 180 vende në renditjen e saj të shteteve të korruptuara. Në një fjalim të dielën, Zelensky premtoi se nuk do të kishte “kthim në atë që ka qenë më parë, në mënyrën se si jetonin njerëz të ndryshëm pranë institucioneve shtetërore”.
Dejvid Arakhamia, kreu i partisë “Shërbëtori i Popullit” i Zelensky, është zotuar se zyrtarët e korruptuar mund të përballen me burgim.
“Zyrtarët në të gjitha nivelet janë paralajmëruar vazhdimisht nëpërmjet kanaleve zyrtarë dhe jozyrtarë: fokusohuni në luftë, ndihmoni viktimat, reduktoni burokracinë dhe ndaloni bërjen e biznesit të dyshimtë. Shumë prej tyre në fakt kanë dëgjuar, por disa, për fat të keq, jo,” tha ai në një deklaratë telegrami.
“Në qoftë se kjo nuk funksionon në një mënyrë të qytetëruar, kjo do të bëhet sipas ligjeve të kohës së luftës. Kjo zbatohet si për blerjet e fundit të gjeneratorëve, ashtu edhe për skandalet e rinj në ministrinë e mbrojtjes”, shtoi ai.
Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov është kritikuar gjithashtu kohët e fundit, pas njoftimeve të medias që raportonin se ministria e tij nënshkroi një kontratë për të siguruar ushqim për ushtrinë me çmime të fryra. Reznikov tha se këto çmime ishin një “gabim teknik”.
Një raport i gazetës ukrainase Ukrainska Pravda sugjeron se krerët e katër administratave rajonale – Sumy, Dnipro, Zaporizhzhia dhe Kherson – mund të jenë të tjerët që do të shkojnë pas Timoshenko, për shkak të lidhjeve të tyre me ndihmësin e dorëhequr presidencial.