Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka u thirr ditën e sotme në SPAK. Fillimisht ai deklaroi se nuk e kishte idenë për çfarë ishte thirrur, por pasi doli, ai në një deklaratë për mediat theksoi se kishte bërë disa kallëzime në lidhje me zgjedhjet e 14 majit.
Sipas Nokës, në zgjedhjet e 14 majit janë kryer krime të mëdha dhe ai e ka cilësuar të gjithë procesin si ‘batërdi’. Noka është shprehur se ka ardhur koha që të mos ekzistojë më shit-blerja e votës dhe se qytetarët duhet të shkojnë drejt kutive të votimit të lirë dhe të pa intimiduar.
“Siç jeni në dijeni në këtë fushatë zgjedhore rilindja ka bërë një batërdi dhe në këtë aspekt ne kemi monitoruar dhe kemi paraqitur në SPAK një mori padish për këtë batërdi. Sot isha për të diskutuar në lidhje me dy çështje. Në lidhje me znj.Majlinda Bufi si kërcënuese, shantazhuese e qytetarëve për t’iu devijuar me dhunë votën dhe për të famshmen çështjes të Aktivistit që po ashtu shantazhonte, kërcënonte dhe survejonte administratën. Këto të dyja janë krime të rënda zgjedhore dhe ne do t’i shkojmë deri në fund. Të gjitha provat që disponojmë janë dorëzuar dhe çdo dokument që do të disponojmë do ta paraqesim. Hetim penal ka për çështjen e Aktivistit dhe znj. Bufi. Vota me dhunë dhe me presion duhet të marrë fund, vota duhet të jetë e lirë”, deklaroi Noka.