Sot do të jepet lamtumira e fundit për 6-vjeçaren shqiptare, e cila u mbyt në plazhin e Korinthit në Greqi më 23 gusht. Amelia e vogël do të varroset në Shqipëri. Ndërsa mësohet se babai i saj nuk do të jetë i pranishëm në ceremoni, pasi është nën hetim, e për pasojë nuk i lejohet të lëvizë jashtë vendit.
Babai i Amelias akuzohet për ekspozim të të miturës në rrezik. Ai po procedohet në gjendje të lirët me kushte kufizuese nga drejtësia greke. Amelia u mbyt në sytë e të atit, teksa ai tentoi të ngjiste në varkë.
6-vjeçarja është pikasur nga një peshkatar nën një varkë të ankoruar dhe është transportuar me ambulancën e EKAB në Spitalin e Përgjithshëm të Korinthit, ku është konstatuar e vdekur. Sipas rrëfimit të babit shqiptar, ai nuk u zhyt për ta shpëtuar të bijën, pasi siç thotë vuan nga astma, e si rrjedhojë nuk mund të marrë frymë në ujë.
42-vjeçari foli dje për protothema,gr. Ai tha se nuk do ta dëmtonte kurrë fëmijën e tij, pasi e adhuronte atë.
“Nuk do ta dëmtoja fëmijën, e adhuroja. E adhuroja fëmijën tim, ajo ishte forca ime. Kur fëmija erdhi në shtëpi mora forcë”, tha 42-vjeçari, ndërsa shton se ai dhe gruaja e tij nuk kanë asnjë problem.
“Unë dhe gruaja ime nuk kemi asnjë problem, nuk kemi asnjë akuzë mes nesh. Ne jemi bashkë në atë që na ndodhi. Unë e pata fëmijën për një muaj rresht. Vija nga puna çdo pasdite dhe e merrja”, thekson 42-vjeçari.
“Sot fëmija im largohet dhe shkon në vendin tim për ta varrosur. Nuk jam në gjendje të them asgjë tjetër. Unë thashë gjithçka në dëshminë time”, përfundon ai.
Ndërkohë në një intervistë tjetër që dha për televizionin SKAI, 42-vjeçari tha se kishte bërtitur fort kur Amelia e vogël ranë det, por askush nuk e dëgjoi për shkak të astmës.
“Kam thirrur për ndihmë, por ndoshta nuk më kanë dëgjuar. Unë vuaj nga astma , volum i zërit tim është i ulët”, tha 42-vjeçari.
Hetuesit e kanë ngritur dyshimet, pasi babai shqiptar futi të bijën në ujë me rroba dhe që nuk bëri asgjë për ta shpëtuar atë, teksa e shihte për 3 deri në katër minuta të luftonte me vdekjen.
“Më pushtoi paniku kur e vogla ra në det”, citohet të ketë thënë babi i Amelias më herët.
Si ndodhi ngjarja
Gjithçka nisi, kur babai shqiptar, i divorcuar nga gruaja, mori Amelian për të dalë për të ngrënë në një restorant buzë detit. Për shkak se moti ishte i paqëndrueshëm dhe i ftohtë, ata nuk do të laheshin në det dhe për këtë arsye nuk morën rroba banje me vete. Pasi kanë ngrënë, sipas dëshmitarët okularë Amelia kërkoi nga i ati që të shkonin te varka që ishte ne det.
I ati i tha se nuk kishin rroba banje me vete, por Amelia këmbënguli dhe kështu ai pranoi të shkonte te varka me të bijën. Distanca e varkës nga deti ishte rreth 25-30 metra dhe thellësia e ujit 5-6 metra. Deti ishte i trazuar për shkak të motit të keq. Babai mori një jelek shpëtimi, ia vuri vajzës së tij dhe siç ishin të veshur me rrobat u drejtuan për te varka. Babai nuk kishte me vete telefonin apo sende të tjera. Siç u tha babai rojeve bregdetare, kur ata iu afruan varkës, ai u përpoq të ngrinte në krah Amelian për ta futur në varkë , por ajo rrëshqiti.
Sipas tij pasi rrëshqiti, të miturës i doli jeleku dhe për pasojë 6-vjeçarja përfundoi poshtë varkës. Ajo që ngre dyshime është fakti që babai nuk bëri asgjë për të shpëtuar të bijën e tij. Ai ka thënë se nuk u zhyt për ta shpëtuar sepse kishte astmë, dhe se nuk mund ta mbante frymën në ujë.
Pyetja e madhe që mbetet është se pse babai i Amelias nuk bëri asgjë në 3-4 minutat që vogëlushja po luftonte me vdekjen. Për këtë arsye kanë nisur hetimet për babanë e Amelias, pasi ai akuzohet se ka ekspozuar në rrezik të miturën. Ai u arrestua dje nga policia greke, ndërsa sot është lënë i lirë me kushte kufizuese. Hetuesi dhe prokurori vendosën lirimin e tij me kufizimin e daljes jashtë vendit dhe paraqitjen e tij çdo ditë të parë të muajit në komisariat.