Për Marash Kumbullën eksperienca prej 3.5 vitesh te Roma ka qenë shumë e bukur, me uljet e ngritjet e veta, por tani ai është i përqendruar te Sassuolo.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit shpreson që të ndihmojë zigjelbrit me aftësitë e tij. 24-vjeçari shprehet se e ka lënë pas dëmtimin që e mbajti për disa muaj jashtë fushe.
‘Erdhi në një moment ku nuk duhej të vinte. Larg fushave ishte periudhë e vështirë. Tani jam gati e ndihem mirë fizikisht. Jam i paduruar të zbres në fushë. Po stërvitem me ekipin e tani kam nevojë vetëm të luaj sa më shumë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sa më erdhi propozimi i Sassuolos, nuk hezitova. Menjëherë i thashë menaxherit tim që doja të vija këtu. Fola edhe me Bajramin, më tha që më priste këtu. Kam gjetur shokë të mirë e ambient kompakt. Me punë e dimë se përmirësohemi’, u shpreh Kumbulla.
Kumbulla foli edhe për takimin e mbrëmjes së të shtunës, ku Sassuolo do të ndeshet me Torinon në shtëpi. Për mbrojtësin kuqezi, kjo nuk është përballje e lehtë, por zigjelbrit i kanë cilësitë të vënë në vështirësi kundërshtarët.