Gjykata e Posaçme ka dhënë masën ‘’arrest me burg’’ të mërkurën për Jetmir Kaloshin, duke e cilësuar si të ligjshëm arrestimin e tij me urdhër të SPAK. Ky i fundit u ndalua në portin e Durrësit në 10 prill, pasi po drejtonte fugonin në të cilin u gjetën të fshehura 8 pistoleta.
Para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme, Jetmir Kaloshi ka mbajtur qëndrim mohues, duke thënë se pistoletat nuk janë të tijat dhe se nuk kishte asnjë dijeni se ndodheshin në furgonin që ai drejtonte.
“Unë jam shoferi dhe nuk kam lidhje me materialet që ndodhen brenda furgonit. Do i dorëzoja në Itali dhe pastaj do kthehesha. Nuk kam vizë për në Britaninë e Madhe”, ka thënë ai.
Mes të tjera Kaloshi, ka sqaruar se ishte i punësuar në agjencinë e transportit “SIHANA TRANSPORT” si shofer dhe paguhej “në të zezë”.
Autoritetet po verifikojnë personin që ka dorëzuar tavolinën ku ishin të fshehura armët. Pjesë e hetimeve pritet të jetë edhe personi pritës në Britani të Madhe, në adresën që do të dorëzohej porosia. Mësohet se autoritetet shqiptare akoma nuk kanë dërguar letërporosi në Britani të Madhe, por procedurat kanë nisur.