Shefi i repartit të stërvitjes tek forcat RENEA, Altin Morina, ka dhënë deklaratat e para, pas arrestimit të tij me një shumë të madhe parash.
Ai ka deklaruar se paratë e gjetura janë të ligjshme dhe janë të ardhura të një biznesit, ndërsa ka shtuar se këto para janë tërhequr nga një bankë për të zgjidhur disa probleme të tij financiare. Morina ka mohuar para hetuesve që të jetë pjesë e ndonjë grupi kriminal.
“Paratë janë të justifikuara dhe vijnë nga një biznes. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mija. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal”, mësohet të ketë thënë ai.
Mirëpo, pavarësisht qëndrimit të tij, mbi origjinën e parave, grupi hetimor po kryen disa verifikime në transaksione bankare të Altin Morinës por edhe të familjarëve të tij.
Efektivi i RENEA-s u arrestua të martën, nga Policia e Tiranës pasi në makinën me të cilën lëvizte uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 113 mijë euro. 43-vjeçari, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit teksa lëvizte me automjetin e tij luksoz.
Morina akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.