Jamarbër Malltezi kërkon nga Gjykata e Posaçme e Apelit heqjen e masës së sigurisë ‘‘arrest në burg”. Ai i është drejtuar brenda afatit Gjykatës. Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ndodhet në burg prej së shtunës së 21 tetorit. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
SPAK e akuzon Jamarbër Malltezin se gjatë procedurës së privatizimit të ish-Kompleksit Partizani, procedurë e përmbyllur në vitin 2009, është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash bashkë me biznesmenin Fatmir Bektashi. Prokuroria e Posaçme thotë se Malltezi ka përfituar më mënyrë të parregullt nga privatizimi 5.4 milionë Euro dhe se ai është favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të disa akteve ligjore dhe nën ligjore të nxjerra në favor të procedurës së privatizimit.