Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti të hënën në Nju Jork, përpara dorëzimit të tij tek autoritetet dhe paraqitjes para një gjykatësi, ku do t’i lexohen akuzat penale të ngritura ndaj tij nga një juri e madhe. Deri tani nuk dihet se për çfarë akuzash rëndojnë ndaj zotit Trump.
Ndërkohë qyteti më i madh i vendit është përfshirë nga masa të forta sigurie dhe autoritetet paralajmëruan të gjithë ata që synojnë të shkaktojnë shqetësime se “Nju Jorku nuk është një arenë për të shfryrë zemërimin e tyre”.
Zoti Trump dhe mbështetësit e tij kanë kritikuar hetimet si dhe padinë penale të ngritur kundër tij, që rrjedh nga një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, bërë në ditët e fundit të fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016. Kthimi i tij në këtë qytet, hap një kapitull të paprecedentë në historinë amerikane. Zoti Trump është ish-presidenti i parë që përballet me akuza penale ndërsa ai ndodhet në mesin e një fushate të tretë për Shtëpinë e Bardhë.
Ish-presidenti planifikon të qëndrojë sot në Kullën Trump dhe më pas të martën ai do t’u dorëzohet autoriteteve për procedim e lexim akuzash nga gjykatësi i çështjes. Deri më tani, zyrtarët nuk kanë parë një fluks njerëzish që vijnë në qytet, sikurse ishte rasti në Uashington në ditët para sulmit të dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
Megjithatë, autoritetet paralajmëruan se mbajtja e një arme pranë zonave të caktuara të qytetit, përfshirë gjykatat, do te konsiderohej një vepër penale.
“Ndërsa mund të ketë disa persona që mendojnë të vijnë në qytetin tonë nesër, mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: kontrolloni veten”, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams. “Nju Jorku është shtëpia jonë, jo një shesh lojrash për zemërimin tuaj. Ne jemi qyteti i madh më i sigurt në Amerikë, sepse respektojmë sundimin e ligjit”, shtoi ai.
Autoritetet po planifikojnë të rrisin masat e sigurisë rreth Kullës Trump si dhe të mbyllin rrugët aty pranë. Ata kanë ndërmarrë hapa për të mbyllur dhe siguruar katin e gjykatës ku ish-presidenti do të paraqitet para një gjykatësi të martën pasdite.
Mbështetësit e zoti Trump, përfshirë një nga mbrojtësit e tij më të vendosur në Kongres, ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene e Xhorxhias, kanë planifikuar një tubim në Nju Jork të martën para mesditës, ndoshta përpara se zoti Trump të dilë para gjykatësit. Zoti Adams ndërmori hapin e pazakontë duke i drejtuar një thirrje ligjvënëses.
“Megjithëse nuk kemi kërcënime specifike, njerëz si Marjorie Taylor Greene, e cila njihet për përhapjen e dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, ka deklaruar se do të vijë në qytet”, tha zoti Adams. “Ndërsa ndodheni këtu në qytet, duhet që të dëshmoni sjelljen tuaj më të mirë”.
Ekipi ligjor i zotit Trump pritet të sfidojë aktakuzën, dhe kanë bërë të ditur se do të përqendrohen në përdorimin e asaj që ata e quajnë një çështje të dobët e ngritur kundër ish-presidentit, në avantazhin e tij.
Zoti Trump pritet të përballet me akuza të shumta për falsifikimin e të dhënave të biznesit, përfshirë të paktën një vepër penale, në aktakuzën e lëshuar nga një juri e madhe në Manhattan javën e kaluar. Hetimet lidhur me pagesat e bëra për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografike Stormy Daniels dhe ish modeles së revistës Playboy Karen McDougal.
Ato thonë se kanë pasur marrëdhënie seksuale me zotin Trump një gjë që ai e ka hedhur poshtë duke mohuar gjithashtu se ka kryer ndonjë veprim të paligjshëm. Ai thotë se çështja ndaj tij është e motivuar politikisht.
Republikanët kryesorë, duke përfshirë disa nga rivalët e mundshëm të zotit Trump brenda partisë për garën presidenciale e kanë denoncuar çështjen kundër tij. Presidenti Joe Biden dhe demokratët kryesorë kanë qëndruar përgjithësisht të heshtur lidhur me rastin./VOA