Një shpërthim i fuqishëm tritoli është regjistruar në periferi të Fushë-Krujës në aksin Fushë Krujë-Tiranë.
Një sasi e konsiderueshme tritoli i është vënë një mobilierie në pronësi të Bujar Caraci, banor i zonës i cili e ka dhënë me qira te një person tjetër me inicialet B.Ç.
Nga shpërthimi ka dëme të mëdha materiale pasi e gjithë godina është shkatërruar madje janë dëmtuar dhe bizneset përreth.
Sipas burimeve në katin e parë të banesës në momentin e shpërthimit ndodheshin familjarë të pronarit të objektit të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar dëmtime.
“Rreth orës 20:40, në aksin rrugor kryesor “Fushë Krujë-Tiranë”, në fshatin Arrameras, në ambientet e jashtme të një ndërtese (mobileri) të marrë me qira nga shtetasi D. C., banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat vijojnë kontrollet në zonë, për kapjen e autorit/ëve.
Në vendngjarje ndodhen drejtuesit vendorë të Policisë dhe grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ëve”, njofton policia.