Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen ‘Dobraç’ në Shkodër. Persona ende të paidentifikuar kanë hedhur lëndë plasëse në banesën e shefit të krimeve në Policinë e Shkodrës, Pëllumb Shpati. Raportohet se në banesë jetonin tre familje dhe kur ndodhi shpërthimi 17 familjarë ndodheshin brenda.
Sipas njoftimit të policisë, si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në banesën e policit dhe në automjetin e tij i cili ka qenë i parkuar përpara banesës.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje nga veprimet e para hetimore ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Dyshohet se ngjarja ka ardhur për shkak të detyrës që Pëllumb Shpati mban në Policinë e Shkodrës.