Tregu i auditimit, në vitin 2023, arriti në rreth 1.28 miliardë lekë, ose rreth 12.3 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), një autoritet rregullator i pavarur, i cili kontrollon zbatimin e kritereve ligjore tek audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar.
Në krahasim me vitin e mëparshëm është shënuar një rritje prej 16% në volumin e të ardhurave të realizuara nga honoraret e shërbimeve të auditimit ligjor.
Tregu i auditimit, në fund të vitit 2023, kishte 240 auditues ligjorë të regjistruar, nga të cilët 143 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik, 71 shoqëri auditimi dhe 26 auditues ligjorë të punësuar pranë shoqërive të auditimit, me një total prej 240 audituesish ligjorë të regjistruar.
Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit kanë ndërmarrë 3779 auditime ligjore në vit, referuar të dhënave për angazhimet e auditimit të realizuara në vitin 2023, sipas BMP.
Në vitin 2023, shoqëritë e auditimit shënuan 60% të të ardhurave nga shërbimet e auditimit, përkundrejt 40% të realizuara nga audituesit ligjorë. Gjatë këtij viti vërehet një rritje e lehtë në peshën e shoqërive të auditimit, në krahasim me vitin e mëparshëm.
“Auditimi ligjor, si një e mirë publike, është një mekanizëm i rëndësishëm në sigurimin e transparencës dhe besimit në raportimin financiar të njësive ekonomike”, thotë .Dritan Fino, kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike.
Ai shton se nëpërmjet procesit të mbikëqyrjes synohet sigurimi i standardeve më të larta në cilësinë e auditimit, duke pasur në fokus të gjitha palët që mbështeten në një sistem të shëndoshë financiar.
Ky angazhim i shtuar reflektohet dhe në rritjen e konsiderueshme të totalit të vlerës së tregut në tre vitet e fundit prej rreth 30%, krahasuar me totalin e trevjeçarit paraardhës, si një nga treguesit e rëndësishëm lidhur me vlerësimin e punës së audituesve.”, pohon kreu i BMP-së./ Monitor