3 persona janë paraqitur me shenja helmimi në urgjencën e spitalit të Shkodrës. Sipas policisë bëhet fjalë për një grua dhe djalin e saj 14-vjeçar si dhe kamarieri i një lokali. Pasi morën ndihmën e parë në Shkodër, gruaja dhe i biri mësohet se ndodhen në spital në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Paraprakisht dyshohet se shkak i helmimit është bërë konsumi i ujit të pijshëm në një lokal në qytetin e Shkodër që mund të ketë qenë i kontaminuar. Mostrat janë dërguar për analizim dhe pritet përgjigjja e tyre.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Institucioni i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në Shkodër. Në reagimin e bërë thuhet se prokuroria dhe AKU po hetojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas tyre, 3 shtetasit janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani. Kjo konfirmohet edhe nga Prokuroria dhe AKU që bashkarisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në njoftim thuhet se UK Shkodër siguron klientët për cilësinë e ujit, monitoruar periodikisht nga specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër.