Është shtyrë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit seanca paraprake për ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun për çështjen e tragjedisë së Gërdecit. Shkak për shtyrjen e kësaj seance është bërë mungesa e prokurorëve të çështjes, Arben Kraja dhe Klodian Braho, të cilët ndodhen për arsye pune jashtë Shqipërisë. Seanca e radhës do të mbahet 23 Mars, në orën 14:00.
Vetë Fatmir Mediu nuk është paraqitur në seancën paraprake në GJykatën e Posacme, ndërsa është përfaqësuar nga avokatët, Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Avokatët kërkojnë pushimin e çështjes, por në rast se çështja nuk pushohet, avokatët pritet të kërkojnë gjykim të shkurtuar.
Nga ana tjetër në seancë ka qenë edhe familja Durda, Zamira dhe Feruzan Durda, të cilët humbën fëmijët e tyre vetëm 7 vjeç nga shpërthimi i Gërdecit. Zamira Durda u shpreh për mediat se e vetmja gjë që kërkon është drejtësia.
‘Thjesht dua një përgjigje! Kaq dua! Të hetohet edhe ky o të marri fajësi ose pafajësi.’- u shpreh Zamira Durda, pasi u shty seanca paraprake.
Në një reagim për gazetarët pas shtyrjes së seancës, avokati i familjes Durdaj, Dorian Matlija tha se gjëja më e rëndësishme është fakti që kjo çështje po hetohet.
“Çështja i është sjellë drejtësisë në dorë. Pra kaluam nga një epokë ku kjo çështje nuk gjykohej fare, në një epokë tjetër ku kjo çështje mund të gjykohet. Kjo është pjesa më e rëndësishme për momentin”.
Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.