Pas ministrit Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi, ditën e sotme është paraqitur në ambientet e SPAK, Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha. Ai është marrë në pyetje nga prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, lidhur me një shkresë që ka mbërritur nga ministria e Drejtësisë lidhur me Gërdecin, ku në dokument shkruhej me shkrim dore “për Shkëlzenin”.
Pyetur lidhur me këtë, Shkëlzen Berisha ka thënë ai shkrim është i falsifikuar. Një përgjigje ka pasur edhe për hyrje daljet e shpeshta në ministrinë e Drejtësisë aso kohe, sipas së cilit, kjo nuk tregon se ai ka marrë vendime.
“S’kam asnjë lidhje me të. Prokuroria duhet t’i thotë publikut se kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim. Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime”, tha ai.
Shkëlzen Berisha u shpreh ‘i habitur’ jashtë SPAK ku tha se nuk e kupton se si ka mundësi që të njëjtët prokurorë që para 15 vitesh mendonin se ai nuk kishte lidhje me këtë çështje dhe tani pas 15 vitesh mendojnë ndryshe për të.
Një koment, nga jashtë Kuvendit, për marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës e ka pasur edhe ish kryeministri Sali Berisha.
“Përpjekje për të mjegulluar aferën Rama –McGonigal, Me instrumentalizimin e ‘SPAK-ut të partisë”, tha Berisha.
Deri më tani për tragjedinë me 26 viktima, vetëm Fatmir Mediu është marrë i pandehur. Atij iu komunikua zyrtarisht akuza për ‘Shpërdorim detyre’ nga Prokuroria e Posaçme.