Anju Khatiwada u bë pilote që t’i shkonte deri në fund ëndrrës së bashkëshortit të saj, Dipak Pokhrel i cili u nda nga jeta 15 vite më parë në një aksident ajror, ndër më tragjikët që ishte regjistruar ndonjëherë. Mirëpo, fati deshi që dhe fundi i saj të ishte i njëjtë si njeriut të zemrës. Khatiwada ishte një nga pilotet në avionin që u rrëzua në Nepal ku humbën jetën 72 personat që ishin në bord.
Si ndodhi ngjarja
Dipak Pokhrel ishte në kabinën e një avioni Twin Otter prop i cili mbante oriz dhe ushqim në qytetin perëndimor Jumla kur ra dhe shpërtheu në flakë në qershor 2006, duke vrarë të nëntë njerëzit në bord.
Katër vjet më vonë Anju ishte në rrugën për t’u bërë një pilote, duke kapërcyer shumë pengesa për t’u stërvitur në SHBA. Pasi u kualifikua, ajo u bashkua me Yeti Airlines. Anju ishte një nga 6 gratë e punësuara nga linja ajrore si pilotë dhe kishte fluturuar rreth 6,400 orë.
“Ajo ishte një kapitene e plotë në linjën ajrore që kishte bërë fluturime solo,” tha Sudarshan Bartaula nga Yeti Airlines. “Ajo ishte një grua trime.” Anju më vonë u rimartua dhe pati një fëmijë të dytë ndërsa vazhdoi të ndërtonte karrierën e saj. Miqtë dhe familja thonë se e adhuronte punën e saj.
Tragjedia e kësaj jave ka rindezur një bisedë rreth sigurisë ajrore në vendin himalajan, i cili ka parë qindra të vdekur në aksidentet ajrore në dekadat e fundit. Terreni malor dhe moti shpesh i paparashikueshëm mund të jenë të vështirë për t’u përshkuar dhe shpesh përmenden si shkaktar, por të tjerë nxjerrin në pah si faktorë po aq të rëndësishëm avionët e vjetëruar, rregullat jo të qarta dhe mbikëqyrjen e dobët.
Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi përplasjen e së dielës.