Prindërit e një 3-vjeçari kanë denoncuar në polici humbjen e jetës së djalit të tyre pas një ndërhyrje që ai ka bërë në një klinikë dentare në ‘Rrugën e Kavajës’ në Tiranë. Sipas prindërve, dentisti i ka dhënë fëmijës narkozë më shumë seç mund ta përballonin mushkëritë e tij.
Prindërit kanë thënë në polici se fëmija 3 vjeç është dërguar në një klinikë për të mbushur një dhëmbë për shkak të dhimbjes. Pasi i ka bërë mjeku grafinë, u ka thënë prindërve se fëmija ka nevojë për 13 apo 14 dhëmbë për rregullim. Për shkak të numrit të lartë të dhëmbëve është vendosur të ndërhyhet me narkozë. Pasi ka mbaruar, fëmija nuk është zgjuar dhe mjeku u ka thënë shkoni në shpi se do të zgjohet. Edhe në shtëpi 3-vjeçari nuk është zgjuar dhe kanë telefonuar klinikën, por nuk u kanë hapur telefonin. Më pas e kanë dërguar në pediatri dhe në gjendje kome ka qëndruar 2 ditë dhe ka ndërruar jetë.
Policia ka bërë veprimet e para, është marrë në pyetje mjeku dhe stafi i klinikës dhe kanë deklaruar se i kanë dhënë sasinë e duhur, sipas tyre, të ilaçeve të narkozës. Rasti është referuar në prokurori për vepër penale “neglizhencë në mjekim”, e cila konsiderohet sipas Kodit Penal si kundra-vajtje penale dhe jo vepër penale. Policia dhe prokuroria po presin autopsinë e 3-vjeçarit për të kryer veprime të tjera.