Dy janë kontrastet, që sheh në mëngjes në rrugët e kryeqytetit.
Si asnjëherë më parë kudo ka shumë turistë, të cilët po ndikojnë dukshëm në gjallërimin e konsumit dhe ekonomisë, që në tremujorin e parë u frenua nga emigracioni dhe çmimet e larta. Në kahun tjetër, ndonëse ora po i kalonte 10:00 paradite, koshat e mbeturina ishin plot me plehra në disa zona (shiko foton 1), një panoramë që është e pakonceptueshme për turistët.
E njëjta situatë dhe në bregdetin e Durrësit. Mbeturinat pastrohen shumë ngadalë, duke mos arritur që të ndjekin ritmin e shtimit të turistëve, që ishte i pritshëm këtë sezon (shiko foton 2).
Përkundrejt situatës së menaxhimit të mbeturinave, që lë shumë për të dëshiruar, si Bashkia e Tiranës ashtu dhe ajo e Durrës, të dyja që kanë kontrata me projektin e PPP-së së inceneratorit të Tiranës, kanë pasur shpenzime rekord për mbrojtjen e mjedisit, ku përfshihet pastrimi i mbeturinave.
Të dhënat e publikuara nga Co-plan për buxhetet e bashkive sipas zërave dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se Bashkia Tiranë shpenzoi 2.4 miliardë lekë për zërin e mjedisit në 2022, me një rritje prej 18% në krahasim me vitin 2021 dhe 21.3% në krahasim me 2020-n, që është viti më i hershëm kur Co-Plan e raporton të dhënë për këtë zë.
Shpenzimet për këtë zë përbënin 14% të totalit të të ardhurave të veta, që bashkia e kryeqytetit mbledh nga taksat e tarifat.
Durrësi shpenzoi për zërin e mbrojtjes së mjedisit 964 milionë lekë në vitin 2022, me rritje 120% në raport me vitin e mëparshëm, kur mbeturinat filluan të dërgoheshin te koncesionari i inceneratorit të Tiranës në mes të vitit. Ndërsa në raport me 2020-n, kur e bënte vetë menaxhimin e mbeturinave, shpenzimet u rritën me 151%.
Të dyja së Bashku, Tirana dhe Durrësi shpenzuan për mbrojtjen e mjedisit 3.36 miliardë lekë, ose gati 31 milionë euro.
Durrësi çoi 63% të të ardhurave që mbledh vetë për mbrojtjen e mjedisit
Bashkia Durrës përbën një rast unik se si mbi gjysmën e të ardhurave që ajo mbledh vetë e shpenzon vetëm për një zë, për mbrojtjen e mjedisit (kryesisht pastrimi mbeturinave). Në vitin 2022, të ardhurat e veta të Bashkisë (nga taksat e tarifat e taksat e ndara) ishin 1.53 miliardë lekë, me rënie 3% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ndërsa vetëm për mbrojtjen e mjedisit u shpenzuan 954 milionë lekë, ose 63% e totalit të të ardhurave që mbledh gjithsej Bashkia. Shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit të Bashkisë Durrës ishin 964 milionë lekë, ose 63% e të ardhurave të veta të Bashkisë së qytetit bregdetar.
Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit erdhi pas mbylljes së depozitimit të Porto Romanos dhe dërgimit të mbetjeve në inceneratorin e Sharrës në Tiranë.
Bashkia e Durrësit, sipas burimeve të saj, gjeneron çdo ditë rreth 200 tonë mbetje, ose rreth 70 mijë tonë në vit.
Sipas kontratës, që qeveria ka me koncesionarin e plehrave në Sharrë, kosto e depozitimit të mbetjeve është 29.05 euro/ton për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit.
Projektbuxheti i bashkisë Durrës i vitit 2023 parashikon që edhe për periudhën 2023-2025, Bashkia do të shpenzojë 930-960 milionë lekë në vit për mbrojtjen e mjedisit (shiko grafikun: Shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit, Bashkia Durrës). Kjo shumë është dy herë më e lartë sesa ajo që shpenzohet për strehimin dhe komoditetin e komunitetit!/Monitor