Thellohet edhe më shumë skandali i skemës së evazionit fiskal të kompanive të inceneratorëve me fatura fiktive.
Pas denoncimit të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, gazeta “Panorama” kontaktoi me personat që figurojnë pronarë të kompanisë “Pëllumbi 2015”, ku sipas denoncimit të kryetares së LSI-së ka lëshuar rreth 430 mijë dollarë fatura fiktive me kompanitë e inceneratorëve.
Por, njësoj si edhe në rastin e dy të moshuarve, edhe këtu kemi të bëjmë me mashtrime.
Arjan Habibi është një prej ortakëve të kompanisë “Pëllumbi 2015”, por gjatë intervistës për gazetën “Panorama” ai u shpreh se nuk ka asnjë dijeni për evazion fiskal.
Ai pohoi se ka qenë punëtor krahu që merrte nga 500 deri në 600 mijë Lek të vjetër në kompaninë në fjalë dhe se pronari real sipas tij e kishte bërë administrator për çështje taksash.
INTERVISTA I
Z. Arjan Habibi, a jeni në dijeni se rezultoni të jeni bashkëpronar i kompanisë “Pëllumbi 2015” së bashku me Pëllumb Hasanin.
Po jam në dijeni.
Ke pasur informacion se kompania juaj kryente evazion fiskal me fatura fiktive?
Për zotin, ne kemi pas bërë tuba, bordura, pllaka betoni. Nuk di fare gjë për këtë punë.
Keni pasur bashkëpunim me kompanitë e inceneratorëve?
Ne e kemi pasur punën aty në Bathore dhe bënim tuba, bordura e pllaka. Por unë nuk e di, sepse unë pak kohë e kam pasur emrin aty. Sepse unë kam qenë punëtor i thjeshtë, por më tha ky Pëllumbi, pronari që kam pasur më tha që do të fus emrin si administrator. Më pas, e mbajta emrin 6-7 muaj dhe ika. Por, unë kam qenë punëtor krahu dhe merrja thjesht pagën. Pronari ka qenë Pëllumbi.
Sa ishte paga juaj?
Ka qenë 500-600 mijë Lek, varet sa punonim se e kishim me normë. Kaq kam pas marrë.
A është aktive firma, vazhdon punën?
Për zotin nuk e di, sepse unë aq ndenja duke e pasur emrin pastaj e hoqa emrin dhe ika nga ajo firmë dhe tani s’di gjë. E mbylla emrin që kisha fiktivisht.
Ke pas firmosur ndonjë dokument?
Jo, jo, nuk kam pasur unë lidhje me atë. S’di gjë vallaj. Po merr pëllumbin që të shpjegoj akoma. Ne qysh atëherë dhe tani s’kemi marrë rrogat tona prandaj ika unë. Te firma që kam punuar, kam qëndruar 17 vjet. Më pas ika në Greqi pastaj u ktheve kam punuar te një pallat te “5”-a dhe më pas në Valias.
INTERVISTA II
Pas kësaj bisede gazeta “Panorama” kontaktoi me Pëllumb Hasanin, i cili sipas ekstraktit historik të shkarkuar nga QKB-ja rezulton administrator i firmës ndonëse me status të pezulluar. Hasani mohon që të ketë bërë evazion fiskal.
Ai thotë se firma e tij merret me pllaka betoni, bordura, puseta dhe kapak pusetash dhe se çdo punë që ka bërë e ka kryer me fatura të rregullta. Por, ai hedh akuza ndaj një tjetër personi të quajtur Aliko Agolli, i cili sipas përshkrimit të Pëllumb Hasanit është ekonomisti i firmës së tij. Hasani dyshon se evazionin fiskal e ka bërë Aliko Agolli pasi në 5 vitet e fundit ai e ka pasur vulën dhe të drejtën e firmës së kompanisë dhe të drejtën për lëvizjet bankare.
Z. Hasani, a jeni në dijeni se jeni pronarë i një kompanie që rezulton se ka kryer rreth 430 mijë dollarë evazion fiskal, sipas LSI-së?
Pëllumb Hasani: Aliko Agolli ka mbajtur të gjitha faturat, hyrjet dhe daljet e firmës. Ai ka bërë të gjitha veprimet me firmat e tjera me bankat dhe me të gjitha. Vulën e ka pasur ai dhe të drejtën e firmës.
Ju dyshoni se jua ka bërë Aliko Agolli këtë?
Nëse ka një gjë të tillë, e ka bërë ai patjetër. Unë s’kam bërë asnjë veprim. Unë e kam marrë në telefon atë, e ka pasur zyrën te ish-Stadiumi Dinamo. Por tani, nuk ma ka hapur as mua telefonin. Unë e kam marrë disa herë në telefon, sepse kam çuar tuba e pllaka në Vlorë dhe më tha se jemi në proces gjyqësor. U bë 5 vite që kemi çuar 70 milionë Lek të vjetra në Vlorë. Unë e kam marrë për lekët e mia, sepse s’më kanë paguar për punën që kam bërë.
Aliko Agolli jua ka gjetur punën në Vlorë?
Jo, jo ai ka mbajtur letrat e firmës, ka pasur të drejtën e përdorimit të firmës dhe vulës komplet. Ai ka mbajtur bllokun e faturave dhe lëvizjet bankare ai i ka bërë. I kam çuar disa herë mesazhe për të marrë ndonjë lek. Kemi punuar në Lungo Mare dhe në Allias 1 muaj po me këtë firmë që s’ka paguar lekë. Unë vet i kam të gjitha faturat e rregulla. Çfarë ka hyrë dhe çfarë ka dalë.
Pra, ju keni blerë zhavorr dhe keni prodhuar pllaka e bordura nuk është se keni blerë fruta e perime për të shitur beton?
Jo, jo, skam lidhje fare as me perime as me rrush e as me fiq. Unë kam lidhje vetëm me betona, puseta, bordura, kapak pusetash. Skam lidhje fare me fruta e perime.
Po nga krimi ekonomik apo nga tatimet, ju kanë lajmëruar për evazion fiskal?
Edhe kur kanë ardhur tatimet i kam dhënë numrin e Alikos dhe ka marrë vesh Aliko me ta dhe i ka treguar për siguracionin e punonjësve, për tatim fitimin e me çdo gjë është marrë Aliko me këtë punë.
A do të nisni ju proces gjyqësor, nëse ka vërtet një evazion fiskal?
Unë në gjyq do e çoj vetëm për të marrë lekët e mia se më ka shkuar mbi 60 milionë Lek për të marrë për të tjerat nuk më intereson./panorama