Vijon të jetë e mbuluar me mister ngjarja e mbrëmjes së kaluar në Gramsh. Tre shtetas të huaj tentuan të futen në uzinën e përpunimit të armëve. Pasi u pikasën, ata sulmuan ushtarët duke lënduar dy prej tyre.
Menjëherë pas incidentit policia arrestoi të huajt. Të arrestuarit janë 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin 23-vjeç. Për hetuesit ata kanë thënë se janë blogerë dhe se po fotografonin zonën, duke mohuar të kenë lidhje me spiunazhin rus.
Mes të arrestuarve është edhe një ukrainas. Abcnews.al ka mësuar identitetin e ukrainasit. Bëhet fjalë për Fiodor Mihailoviç.
Kujtojmë se pasditen e djeshme, 2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.
Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë. Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura.