Të dyshuarit për grushtin e shtetit në Gjermani planifikonin të krijonin 280 njësi të armatosura në të gjithë vendin.
Kështu ka deklaruar një përfaqësues i prokurorisë gjatë një seance me dyer të mbyllura në Bundestag, referuar DW.
Bundestagu mbajti tre takime speciale të komitetit të hënën për të diskutuar një hetim mbi një komplot nga ekstremistët e lidhur me lëvizjen e ekstremit të djathtë “Reichsburger”.
Komiteti Gjyqësor dhe Komiteti i Çështjeve të Brendshme mbajtën takime ku qeveria e kancelarit Olaf Scholz dhe prokurorët federalë prezantuan “raportet dhe rezultatet” e bastisjeve dhe dhanë informacion shtesë rreth operacioneve.
Në seancën e tretë, ligjvënësit i bënë pyetje komisionit parlamentar të kontrollit, i cili është përgjegjës për shërbimet e inteligjencës vendase dhe të jashtme të Gjermanisë.
Prokurorët thanë se të dyshuarit planifikonin të krijonin 280 njësi të armatosura në të gjithë Gjermaninë, të ngarkuara me “arrestimin dhe ekzekutimin” e njerëzve pas grushtit të shtetit.
Sipas ligjvënësve, tashmë janë bërë përgatitje konkrete në shtetet e Saksonisë, Turingisë dhe Baden-Vyrtemberg.
“Kishte padyshim plane që, bazuar në shkallën e synimeve të tyre kundër demokracisë sonë liberale, janë tronditëse,” tha Konstantin von Notz, një deputet nga Partia e Gjelbër.
Prokurorët informuan gjithashtu ligjvënësit se një numër i madh “marrëveshjesh për moszbulim” ishin marrë nga njerëzit që komplotistët e dyshuar po përpiqeshin të rekrutonin.
Kujtojmë se autoritetet gjermane kryen bastisje mbarëkombëtare kundër një grupi terrorist të krahut të djathtë të lidhur me Reichsbürger (“Qytetarët e Rajhut” ose “Lëvizja “Reichsbürger”).
Anëtarët e lëvizjes mohojnë ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe refuzojnë autoritetin e qeverisë gjermane.
Ata besojnë se kufijtë e Perandorisë Gjermane të vitit 1937 ende ekzistojnë.
Gjatë bastisjeve janë arrestuar gjithsej 25 të dyshuar.
Prokurorët thanë se grupi kishte plane specifike për një “sulm të armatosur” ndaj qeverisë gjermane në mënyrë që të organizonte një grusht shteti dhe të instalonte liderë të rinj.