Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Rama u shpreh se Kosova po vepron gabim dhe se po futet në ditët e veta më të këqija nëse nuk ndjek këshillën e ndërkombëtarëve për të hyrë në dialog sa më shpejt me Serbinë.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se dje i ka dorëzuar një draft Macronit dhe Scholz, që është përgatitur nga ekspertë të pavarur amerikanë dhe europianë. Rama shpreson që materiali të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe t’i bëjë palët të flasin për gjëra konkrete.
‘Situata është alarmante, nuk mund të jem spektator dhe të shoh si tkurret shteti i Kosovës. Serbia e ka humbur Kosovën në vitin 1999 dhe nuk mund t’i prekë më ‘asnjë fije floku’. Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës mund ta ushtrojnë detyrën edhe në ndërtesa të tjera’, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se nuk ka asgjë kundër Albin Kurtit dhe se e ka përkahur gjithmonë në rrugën e Kosovës drejt integrimit.
Rama tha se duhen shpallur zgjedhjet e reja sa më parë për të treguar vullnet dhe se duhet tërhequr policia pasi po rri kot në godina bosh. Ndërkombëtarët në Kosovë janë të zotët e shtëpisë dhe sipas tij, Kosova nuk mund t’i nxjerrin ata nga shtëpia ‘me shkelma’.