Ditën e sotme, në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ në Mitrovicë të Veriut është ngritur një tjetër barrikadë. Ajo është vendosur në afërsi të Shkollës Teknike. ‘Lagjja e Boshnjakëve’ është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut. Barrikada në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.
Po ashtu, ka informacione që është ngritur edhe një barrikadë tjetër në vendin e njohur si “Dudin Kërsh” në Zveçan, që pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.
Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiç dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i madh incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.