Temperatura të acarta kanë përfshirë Dibrën. Termometri gjatë natës ka shënuar vlerat më të ulëta -13°. Në akset rrugore kombëtare nuk ka më dëborë por ka prezencë të akullit, ndaj drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes dhe të përdorin mjetet anti-rrëshqitëse.
‘Rruga e Arbrit’ është e kalueshme, por ka prezencë të akullit në orët e para të mëngjesit dhe të darkës. Mbrëmë është bllokuar sërish për më shumë se një orë, tek Hani, për shkak të ngricave. Prezencë të akullit ka edhe tek pishat e Bulqizës edhe pse rruga është kriposur.
Aksi Peshkopi-Kukës ka prezencë të akullit nga Sllova deri në Vasie, ndaj në orët e para të mëngjesit dhe të darkës duhet të përdoren zinxhirët. Rrugët e njësive administrative janë hapur, po punohet për rrugën e Lurës, mjetet e bashkisë kanë nisur hapjen e rrugëve të fshatrave. Energjia elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe të territorit, por ka ende njësi administrative dhe fshatra pa energji.
Prej dy ditësh kanë punuar 6 grupe të OSHE dhe OST, në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe 3 grupe nga Kavaja dhe Durrësi, për të përshpejtuar riparimin e defekteve të shkaktuar nga moti i keq. Mbrëmjen e djeshme është rikthyer energjia në qytetin e Bulqizës, por ka ende disa njësi administrative pa energji.
Fatmirësisht nga zonat e thella nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore në 24 orët e fundit.