Europa Juglindore vazhdon të preket nga vala e të nxehtit dhe vendet që po vuajnë pasojat më të mëdha janë Spanja, Italia dhe Greqia.
Në këto tri vende, termometri shënon nivele rekord, duke shkaktuar dëme në bujqësi dhe duke vështirësuar pushimet e turistëve.
Agjencia Europiane e Hapësirës, që vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga hapësira, paralajmëron se në ditët në vijim do të ketë temperatura edhe më të larta. Sipas agjencisë, bota duhet të mësojë të përshtatet me këto shifra temperaturash, të cilat vijnë kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike.
“Kemi regjistruar javën e kaluar temperaturën e sipërfaqes së tokës në 60 gradë Celsius. Kjo nuk është temperatura e ajrit në kuptimin meteorologjik, por ajo tregon temperaturën aktuale të sipërfaqes së tokës, se si do të ndihej në prekje. Dhe ne besojmë se do të intensifikohet”, – thotë Clement Albergel, Shkencëtar i Aplikimeve Klimatike në Agjencinë Europiane të Hapësirës.