Është vështirë të mbash mbërthyer përpara një ekrani të gjithë gjeneratat. Të duhet që të evoluosh vazhdimisht për t’ju përshtatur shijeve që ndryshojnë jo vetëm mbi bazë të moshës, por edhe me variabla të tjerë të tillë si gjeografikë, statusi socio-ekonomik, pikëpamjet politike e kështu me radhë.
E gjitha kjo ndodh kur televizionet klasikë po përballen gjithmonë e më shumë edhe me konkurrencën e medias dixhitale, e cila merr një pjesë jo të vogël të kohës së gjithsecilit.
Për të mbajtur hapin, ka nevojë jo vetëm të sjellin të reja që marrin vëmendje, por edhe të zhvillojë veten nëpërmjet teknologjisë “për të gjurmuar” audiencën në çdo ekran të mundshëm nga ai i televizorit, tek laptopi apo telefoni.
Kjo tendencë globale ka përfshirë edhe televizionet shqiptare, të cilët në një formë apo në një tjetër, në këtë sezon, kanë ardhur me formula të reja që synojnë të bëjnë për vete publikun.
Në bazë të programacionit të secilit qëndrojnë emisionet bazë, të sprovuar dhe konsoliduar ndër vite, që audienca i njeh dhe i ka pjesë të përditshmërisë.
Fundjava, e cila nis nga e premtja pasdite, këtë sezon ka një dinamikë më të fortë të argëtimit ku televizionet janë investuar sidomos në reality dhe argëtim.
Në këtë kontekst disa kanë forcuar pikat e tyre të forta, të tjerë kanë zgjeruar terrenin me patenta ndërkombëtare të sjella për herë të parë. Ka nga ata që kanë eksploruar fusha të reja, si një formë për të marrë atë audiencë që nuk e gjen veten tek masa.
Reality, talent-show, argëtim janë kryefjala e sezonit
Tashmë që prej shtatorit, një pjesë e mirë e emisioneve kanë nisur ciklin e transmetimit për këtë sezon. Interesi i audiencës për emisionet reality duket të mbetet i lartë edhe këtë sezon, teksa në ekrane kanë nisur apo pritet të nisin një sërë formatesh të kësaj natyre.
Albert Dumani, Drejtor Programacioni dhe Blerjesh në TV Klan, shprehet se audienca ka interes të lartë për reality, për historitë njerëzore apo të vërtetën në ekran. Një format reality që TV KLAN ka nisur këtë sezon është ai i “Love Island” me Luana Vjollcën, një patentë ndërkombëtare e zhvilluar në shumë shtete.
“Po prodhojmë për herë të parë një reality show të këtyre dimensioneve, duke krijuar një version shqiptar, por si në çdo vend tjetër ku po transmetohet, në 25 shtete.
Po e prodhojmë këtë format “In house” (në shtëpi), që do të thotë se gjithçka bëhet nga vetë televizioni, që nga xhirimi, stafi teknik, post-produksioni, ndriçimi, skenografia Publiku pëlqen reality, gjëra të vërteta, histori njerëzore.
Argëtimi i tyre i kërkuar arrihet nga spektaklet dhe talk-show që prodhojmë” pohon z.Dumani.
Ai nënvizon se po punohet për rikthimin pas disa vitesh të një talent show siç është “X Factor Albania” në edicionin e 5 të tij duke e cilësuar këtë si kohën e duhur për të nisur edicionin e ri, pasi ka dhe prurje të talenteve të reja në këtë format që zbulon më të mirët në muzikë.
Top Channel, nga ana tjetër, duket se këtë sezon e ka fokusuar vëmendjen e tij te reality dhe show ku tashmë ka nisur “Portokalli”, “Përputhen” dhe është njoftuar fillimi i “Dancing with the Stars” dhe “Big Brother VIP”, edicioni 3.
Ndryshimet në program kanë qenë të vogla, duke u përqendruar forcat tek ato që cilësohen si pika të forta të ekranit.
Një fokus më të madh tek argëtimi, por edhe reality, ka edhe Vizion Plus.
“Netët e argëtimit janë më në avantazh këtë sezon. Kemi 3 net në javë kushtuar argëtimit duke nisur me show muzikor të enjten, “Këngë Moj”, me një formulë të re që ndërthur historinë me muzikën.
Të premten është “Albano Show”, një talk-show me identitet të fortë me intervista befasuese, të ftuar, monologë, muzikë dhe kapacitetin për të mos e marrë çdo gjë seriozisht. Të shtunën, një tjetër show me traditë tashmë 12-vjeçare, “AlPazar”.
Dhe ky raport thellohet më shumë në favor të argëtimit po të shtojmë edhe episodet e reja të sitcom (situation comedy) “Familja Kuqezi”, një prodhim origjinal që vjen në sezonin e 4-rt” pohon Fatos Risto, Drejtor i Programacionit në Vizion Plus. Ai konfirmon se në pjesën e dytë të sezonit është parashikuar një format reality, i cili do të bashkojë rreth vetes personazhe të njohur publikë.
“Në Semestrin e dytë të sezonit, kemi planifikuar një format që vjen për herë të parë në Shqipëri: “Ferma VIP”. Personazhe të njohur do të jetojnë dhe punojnë të izoluar në një fermë, duke u përballur me punët brenda saj: kujdesi për kafshët, mbjellja dhe korrja, gatimi dhe punë të tjera që kërkon ferma.
Një eksperiment social, me sukses në shumë shtete, që na çon në drama ndërpersonale dhe argëtim prej përplasjes së natyrave të VIP-ave me sfidat e jetesës rurale” nënvizon z. Risto.
“Të rinjtë” kundër rrymës, eksplorojnë në sport dhe kompeticione
Kur të gjithë duket se e kanë përqendruar vëmendjen te reality, ka nga ato televizione që kanë zgjedhur t’i qëndrojnë larg, duke preferuar të gjejnë një “niche” të tyren, që audiencën e ka të sigurt. I tillë është rasti i MCN TV, ndoshta ndër televizionet më të reja në treg, edhe pse me disa vite në treg, që i kanë shërbyer për të krijuar audiencën e tij.
Administratori Endri Meksi shprehet se për herë të parë këtë vit, televizioni përfshiu sportin, në një formë eksperimenti në verë e cila rezultoi e suksesshme.
Tashmë me të drejtat e fituara për transmetimin për tre vjet të Kampionatit Shqiptar, përfshi Abisnet Superioren, fazën “Final Four”, Kategorinë e Parë, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, televizioni ka zhvendosur një pjesë të vëmendjes në këtë aspekt, por duke mos i anashkaluar formatet e tjera.
“Nuk do përfshihemi te reality. Kemi marrë për tre vite të drejtën për “Miss Universe”. Synojmë që të bëjmë një format ndryshe nga ai që ka qenë deri më sot, me një garë më të zgjeruar, një proces të ri ku të vlerësohet më shumë imazhi i së bukurës për të ndryshuar pak nga politika dhe ekonomia, që është fokusi kryesor i mediave në Shqipëri.
Jemi ende në fillim dhe as vetë s’e kemi qartësuar formatin. Po konceptojmë ndërkohë edhe dy-tre programe të reja ku mund të përmend Ermira Çaushollin apo Edi Ogën”, – shprehet Meksi.
Sipas tij, idetë për emisione mbi atë se çfarë mund t’i ofrosh publikut janë të shumta, por edhe pse duhet të ndjekësh audiencën nuk mund të kthehesh në skllav të saj, duhet që gjithmonë e vërteta dhe cilësia të ecin bashkë.
“Kemi pasur oferta për programe të stilit të analizës gjyqësore, që për mua mbetet çështja më komplekse në vend, ku kemi vëllezër, familjarë të përfshirë në çështje nga më komplekset, por nuk mendoj se i japim dot përgjigje brenda në një emision.
Jemi në dilemën, a të zgjedhim një emision mediokër, por që bën zhurmë, para një emisioni cilësor, por që zhurmën s’e realizon.
Kjo dilemë do jetë gjithmonë, por do përpiqemi të zgjedhim me një lloj mirëkuptimi, duke gjurmuar audiencën, por jo të kthehemi në skllevër të saj. Pra mbajmë raport me cilësinë dhe të vërtetën. Kjo është sfidë e vazhdueshme”, – nënvizon z. Meksi.
Emisionet më të shtrenjta dhe më të lira në televizione
Bizneset vijojnë jenë të interesuara për të reklamuar në ekranin e televizionit, duke tentuar që aty të gjejnë klientët besnikë, por edhe ata potencialë.
Ajo që bie në sy në listën e çmimeve të dy televizioneve kombëtare në vend është qëndrimi në të njëjtin nivel i çmimeve të reklamimit, ashtu si vitin e kaluar. Por cilat janë emisionet ku duhet të paguash më shumë apo më lirë për të reklamuar.
Në ekranin e TOP Channel, teksa mbeten ende të pazbuluara shifrat për Big Brother VIP, emisioni me çmimin më të lartë të reklamimit është ai i humorit “Portokalli”, ku para fillimit të programit, një sekondë kushton 4300 lekë, ndërsa gjatë transmetimit, 8500 lekë.
Emisioni i dytë me kohën më të shtrenjtë televizive është “Më lër të flas” me 4300 lekë për sekondë para dhe gjatë transmetimit, me vlerë 7300 lekë sekondë. I treti është “Dancing with the Stars” me 3100 lekë/sekondë dhe gjatë transmetimit, me 6150 lekë/sekondë.
Lidhur me sponsorizimet, oferta e TOP Channel parashikon të paktën 8 programe, ku për “Dancing with the Stars” me 6 spote dhe 2 anonçime për 13 puntata, çmimi vlerësohet në 180 mijë euro/muaj, duke e bërë këtë programin më të shtrenjtë në këtë grup.
Televizioni tjetër kombëtar KLAN ka dy emisione që qëndrojnë përballë për kohën televizive më të shtrenjtë. “Opinioni” i së enjtes dhe “Love Island” i Luana Vjollcës të dielën faturojnë 3400 lekë/sekondën para fillimit të transmetimit dhe 6750 lekë/sekonda gjatë transmetimit.
“E diela shqiptare” me Ardit Gjebrea renditet i dyti, ku në orarin e transmetimit 16:00 – 19:20 paguhet 5400 lekë/sekonda.
Emisioni “Stop” ,që transmetohet gjatë javës, në orën 20:05, ka çdo sekondë transmetim para me 2700 lekë dhe gjatë transmetimit 4400 lekë.
Po kaq paguhet për kohën televizive të çdo reklame që transmetohet gjatë javës në prime time, kur në ekran zënë vend seriale./Monitor