Teleskopi i Agjencisë Hapësinore Amerikane NASA, James Webb edhe një herë ka sjellë imazhe të Universit.
Teleskopi hapësinor kësaj radhe ka shkrepur pamje të galaktikës Cartwheel, ku zbulohen detaje të reja për formimin e yjeve dhe pjesën qendrore të galaktikës pranë vrimës së zezë. Edhe më parë ka pasur imazhe nga teleskopët e tjerë përfshirë atë Hubble, por James Webb i sjell ato me shumë qartësi.
Teleskopi hapësinor 10 miliardë dollarësh, ka fituar vëmendjen e tërë botës me publikimin e imazheve, e më së shumti me këto të fundit të Cartwheel që ka ndryshuar pas miliarda vitesh. Kujtojmë se para disa javësh ai solli në pamjen më të detajuar me rreze infra të kuqe të Universit deri më sot.
I nisur më 25 dhjetor të vitit të kaluar, ai është cilësuar si pasardhësi i teleskopit të famshëm hapësinor, Hubble.
Ai do të bëjë të gjitha llojet e vëzhgimeve të qiellit, por ka dy qëllime kryesore. Njëra është të realizojë fotografi të yjeve të parë që shkëlqenin në Univers më shumë se 13.5 miliardë vjet më parë; tjetra është të hetohen planetët e largët për të zbuluar nëse mund të jenë të banueshëm.