Arrestimi i nënë e bir të cilët kishin bërë ‘kërdinë’ duke vjedhur banesa në Tiranë, po nxjerrin në dritë çdo ditë nga një të dhënë. Falë kontrollit në telefonin e Rozeta Dobit, policia ka arritur të gjejë edhe 2 persona të tjerë të cilëve ajo, në bashkëpunim me të birin kanë arritur që t’i vjedhin. Policia ka gjetur kontaktin e Leonard Cikos dhe Altin Dines të cilët pasi janë marrë në pyetje nga policia, kanë konfirmuar se u janë vjedhur vetëm sende me vlerë dhe jo para.
Nga ana tjetër, 400 mijë eurot të fshehura në tubin e aspirimit në shtëpi janë zbuluar falë përgjimit që u është bërë nënë e bir teksa ata kanë qenë në dhomën e izolimit:
Havieri: Çfarë ke thënë ti për mua?
Nëna: Asgjë do rri unë këtu. (Nënkupton se do ta marrë ajo përsipër vjedhjen)
Havieri: Lekët atje lart te shtëpia do t’i nxjerr unë.
Bazuar në fjalinë e fundit, është urdhëruar kontrolli i dytë në banesë ku u gjetën paratë e tjera. Në bisedë e sipër, Rozeta e ka kritikuar të birin se përse ka tërhequr aq shumë para, ndërkohë që ai i ka thënë se ka tërhequr vetëm 50 mijë euro.