Situata në veri të Kosovës, është agravuar shumë mbrëmjen e kaluar, për shkak se persona të armatosur dhe ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri policinë në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.
Nga të shtënat me armë është plagosur një efektiv policie, i cili, fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 dhe lajmin e ka dhënë policia e Kosovës. Policia në njoftimin e saj, ka thënë se agresorët ishin me një mjet tip ‘Audi’ ngjyrë hiri me targa KM.
Incidenti ndodhi disa orë pasi policia tha se ka shtuar praninë e saj në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, duke nxitur reagimin e Beogradit i cili e cilësoi këtë si “pushtim të veriut” nga Prishtina.
Policia ka njoftuar se po heton në lidhje me ngjarjen dhe ka siguruar qytetarët se janë gjithë kohës në mbrojtje të tyre dhe se jeta e shtetasve kosovarë është prioritet i instancave shtetërore.